×
  • Lajme
  • Lajme

    Guvernatori: Kështu ndryshoi sektori i sigurimeve në Kosovë

    NGASigurimet
    13 Shkurt 2023

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se gjatë katër viteve të fundit sektori i sigurimeve thuajse ka ndryshuar krejtësisht. Sipas tij, nga 21.8 milion euro sa ishte mungesa e kapitalit në vitin 2018 ka rënë në zëro më 30 shtator 2022. Po ashtu, sipas tij, mungesa e aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike nga 16.2 milion euro sa ishte me 31 dhjetor 2018, ka rënë në zero në shtator 2022, ka raportuar iSIGURIME

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, tregon për “iSIGURIME” se si rezultat i ekzaminimeve dhe mbikëqyrjes së përafërt nga ana e BQK-së, por edhe masave të shumta administrative të ndërmarra ndaj tij, sektori i sigurimeve gjatë pesë viteve të fundit ka pësuar ndryshime pozitive sa i përket qeverisjes korporative, por edhe në plotësimin e kërkesave ligjore dhe rregullative.

    Sipas tij, nga 21.8 milion euro sa ishte mungesa e kapitalit në vitin 2018 ka rënë në 0.5 milionë euro me 30 qershor 2022. Po sipas tij, mungesa e aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike nga 16.2 milionë euro sa ishte me 31 dhjetor 2018 ka rënë në 1.07 milion euro me 30 qershor 2022.

    “Është e rëndësishme të theksohet se që të dyja këto mungesa janë plotësuar më 30 shtator 2022. Nga gjithsej 12 sigurues Jo-Jetë sa operonin në Kosovë në vitin 2018, gjashtë (6) prej tyre kishin mungesë të kapitalit, ndërsa me 30 qershor 2022 vetëm një sigurues ka mungesë të kapitalit, e cila mungesë është plotësuar me 30 shtator 2022. Nga gjithsej 12 sigurues Jo-Jetë sa operonin në Kosovë në vitin 2018, pesë (5) prej tyre kishin mungesë të aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike, ndërsa me 30 qershor 2022 vetëm 2 sigurues kanë mungesë të aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike, mungesa këto të plotësuara me 30 shtator 2022”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

    Mbulueshmëri 110,61 %

    Më tutje guvernatori tregon se me 30 qershor 2022, treguesit e adekuatshmërisë së kapitalit, konkretisht kapitali në raport me margjinën e Solvencës për siguruesit jo-jetë është 142.2 përqind, duke qenë dukshëm mbi normën e pranuar prej 100 përqind. Gjithashtu, edhe kapitali në raport me fondin garantues është mbi kufirin minimal të pranuar duke rezultuar në normën prej 127.9 përqind.

    “Bazuar në të dhënat e 30 qershorit 2022 të raportuara në BQK, sektori i sigurimeve Jo-Jetë vazhdon të ketë mbulueshmërinë në 110.61 përqind, duke arritur minimumin e kërkuar ligjor prej 100 përqind. Si rezultat i masave të ndërmarra nga ana e BQK-së, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligjin për Sigurimet, gjatë kësaj periudhe 2018-2022 BQK-ja ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy siguruesve, përkatësisht kompanive të sigurimeve  ‘Insig’ dhe “Kosova e Re”. Para marrjes së vendimit, BQK-ja në vazhdimësi ka bërë përpjekje për sanimin e gjendjes financiare te të dy siguruesit, megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe menaxhmenti i dy Siguruesve nuk kanë arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare”, ka thënë më tutje ai. Sipas guvernatorit, përmirësimi i rezervave teknike totale si dhe ato të produktit me peshën me të madhe në këtë total, produktit TPL. “Prej periudhës janar 2018 deri në periudhën e fundit raportuese shtator 2022, kemi një rritje prej 58.9 përqind në rezervat totale, kurse vetëm për TPL kjo rritje është 56.1 përqind. Shprehur në euro rezervat totale janë rritur prej 57 milion në 90 milionë, pra një rritje prej 33 milionë, kurse për produktin TPL prej 36 milionë në 56 milionë, pra rritje prej 20 milionë. Gjithashtu, në të gjitha kompanitë ka përmirësim në vlerësimin e dëmeve pezull (RBNS-dëme të ndodhura por jo të paguara), që nënkupton një trajtim më të drejtë të policëmbajtësve”, ka thënë më tutje guvernatori Mehmeti. Sipas guvernatorit gjatë kësaj periudhe është analizuar tregu i sigurimeve për produktin TPL duke bërë analizë aktuariale, e cila ka rezultuar me një përmirësim të çmimit të tarifave për grupin tarifor, i cili ka pasur një raport të humbjeve mjaft të lartë, si rezultat i rritjes së dëmit mesatar dhe frekuencës së dëmeve, si dhe uljes së të ardhurave që kompanitë kanë pas aplikimit të sistemit të Bonus Malus. BQK me datë 31 tetor 2019, ka miratuar Vendimin nr. 60-272019 për ndryshimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për nënkategorinë 1 – automjete për pasagjerë. “Gjatë kësaj periudhe është bërë edhe analiza multivariate për MTPL pricing për të rregulluar këtë fushë duke analizuar faktorë shtesë si regjioni, vjetërsia e automjeteve, që do të jetë një udhërrëfyes për liberalizimin e këtij tregu. Asetet e sektorit të sigurimeve në vazhdimësi gjatë viteve 2018-2021 kanë shënuar rritje nga viti në vit, dhe trendi i njëjtë është duke vazhduar edhe në vitin 2022”, ka thënë më tutje guvernatori.

     

    Nga Rubrika

    Sigurimet, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.