Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
AGK-ja konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik. Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht.
Rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional.
Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.